Kosova
Kryesore

Gjykata Komerciale pezullon vendimin e ZRrE-së për 5 kompani të tjera – Oda Ekonomike kërkon anulim të vendimit për tregun e lirë të energjisë

Gjykata Komerciale e Kosovës ka pezulluar vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) që parashihte kalimin e detyrueshëm në tregun e lirë të energjisë për pesë kompani të tjera. Lajmin e ka bërë të ditur Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), përmes një njoftimi zyrtar.

Sipas OEK-ut, këto kompani kishin ushtruar padi individuale kundër vendimit të ZRrE-së dhe kanë arritur të fitojnë të drejtën e tyre ligjore përmes këtij mekanizmi gjyqësor. Oda rikujton se legjislacioni aktual nuk e njeh formatin e padive grupore, andaj vetëm ato individuale po trajtohen dhe po pranohen nga gjykata.

Duke reaguar pas këtij vendimi të ri të gjykatës, Oda Ekonomike ka ripërsëritur thirrjen drejtuar ZRrE-së që të anulojë vendimin për kalimin e detyrueshëm në tregun e lirë të energjisë. Sipas saj, një vendim i tillë rrezikon të dëmtojë konkurrencën e ndershme, bizneset, qytetarët dhe në përgjithësi ekonominë e vendit.

“ZRrE-ja duhet të tërheqë vendimin e saj, në mënyrë që të shmanget dëmtimi i mëtejmë i sektorit privat dhe i konsumatorëve,” thuhet ndër të tjera në reagimin e OEK-ut.

Ky është aktvendimi i radhës që pezullon zbatimin e këtij vendimi të kontestuar, pas një sërë padish të ngjashme që janë ushtruar nga biznese të ndryshme gjatë muajve të fundit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button