Gjykata e Posaçme liron nga “arresti në shtëpi” Jamarbër Malltezin, dhëndrin e Sali Berishës

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur të lehtësojë masën e sigurisë për Jamarbër Malltezin, dhëndrin e ish-kryeministrit Sali Berisha. Malltezi, i akuzuar për pastrim parash në kuadër të çështjes së njohur si “Dosja Partizani”, ishte më herët në masë sigurie “arrest në shtëpi”.
Pas shqyrtimit të kërkesës së paraqitur nga mbrojtja, gjykata ka vendosur të zbusë masën e sigurisë, ndërsa procesi gjyqësor për këtë çështje tashmë ka kaluar në fazën e gjykimit. Seanca e parë ishte parashikuar të mbahej më 30 qershor, por u shty për shkak të mungesës së vetë Sali Berishës.
Sipas deklarimeve të bëra brenda seancës, Jamarbër Malltezi pranoi se kishte firmosur fletëthirrjen për Berishën, por nuk e kishte njoftuar atë personalisht. Ai akuzoi institucionet për vonesë dhe mungesë transparence, duke thënë se:
“Njoftimi për z. Berisha ka ardhur të premten dhe ne shikojmë që në këtë moment shteti bën farsë – politika e kishte njoftimin që para dy javësh, por zgjodhi ta bëjë të premten. Policia ka gënjyer dhe ka sjellë vetëm 3 ditë para. Sipas Kodit të Procedurës, duhet ta sillte 10 ditë para.”
Çështja “Partizani” pritet të vijojë në gjykatë në ditët në vijim, ndërkohë që vendimi për lirimin e Malltezit nga arresti në shtëpi ka ngjallur reagime të ndryshme në opinionin publik dhe sferën politike.