Lajme

Gjykata e Lartë prish vendimin e Apelit për Arben Veliajn, çështja rikthehet për rigjykim

Gjykata e Lartë ka vendosur të prishë vendimin e dhënë më herët nga Apeli i Posaçëm në lidhje me ankesën e Arben Veliajt, i cili kundërshtoi sekuestrimin e materialeve dhe kontrollet e kryera nga agjentët e BKH-së në banesën dhe zyrën e tij, në dhjetor të vitit 2024.

Vendimi u mor nga treshja e gjyqtarëve Albana Boksi, Medi Bici dhe Sokol Binaj, pas një seance të zhvilluar në dhomë këshillimi. Gjykata e Lartë ka vendosur që çështja të rikthehet për rigjykim në Apelin e Posaçëm, nga e njëjta trupë gjykuese.

Pasi të zbardhet vendimi i Gjykatës së Lartë, gjyqtari i Apelit të Posaçëm, Engert Pëllumbi, do të shqyrtojë sërish ankesën e Arben Veliajt. Ky i fundit ka kundërshtuar vendimin e GJKKO-së për sekuestrimin e materialeve si dhe për kontrollet e kryera në mungesë të tij, në kohën kur ndodhej jashtë vendit.

Ndërhyrja e BKH-së, e autorizuar nga SPAK dhe me vendim të GJKKO-së, u krye në kuadër të hetimeve të Prokurorisë së Posaçme ndaj vëllait të tij, Erion Veliaj, i cili ndodhet aktualisht në burg.

Çështja mbetet ende në fokus të hetimeve, ndërsa vendimi i Gjykatës së Lartë hap rrugën për një rishqyrtim të plotë të pretendimeve të Arben Veliajt nga Apeli i Posaçëm.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button