Gjykata e Apelit lë në fuqi burgimin për Altin Morinën, i akuzuar për pjesëmarrje në grup kriminal

Gjykata e Apelit Posaçëm ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë duke lënë në burg Altin Morinën, ish-efektiv i RENEA-s, i dyshuar për pjesëmarrje në kultivimin e lëndëve narkotike në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Gjatë seancës, prokurori i çështjes, Alfred Shehu, relatoi para trupit gjykues 26 faqe përgjime të siguruara nga aplikacioni i komunikimit të koduar “Sky Ecc”, të cilat, sipas SPAK, implikojnë Morinën në aktivitet kriminal.
Prokuroria theksoi se Altin Morina ka bashkëpunuar me Durim Bamin dhe një person tjetër ende të paidentifikuar, të cilin ata e referojnë si “Drejtori”. Megjithatë, mbrojtja e Morinës ka kundërshtuar akuzat, duke pretenduar se klienti i tyre nuk ka asnjë lidhje me grupin kriminal të përfshirë në këtë dosje.
Altin Morina ishte në kërkim nga SPAK prej kohësh, pasi nuk u gjet në banesë pas lëshimit të urdhrit të ndalimit. Ai u arrestua më 4 prill nga oficerët e Komisariatit Nr. 2 në Tiranë.
Hetimet për këtë çështje janë përfunduar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Dosja përfshin anëtarët e shtatë grupeve kriminale që dyshohet se kanë vepruar në qytete të ndryshme të vendit si Lezha, Durrësi, Kruja, Tirana, Vlora dhe Burreli. Deri tani janë lëshuar 50 urdhër-arreste, nga të cilat rreth gjysma janë ekzekutuar brenda dhe jashtë vendit, ndërsa disa të tjerë ndodhen në burg për akuza të tjera.