Gjykata amerikane urdhëron USAGM-në të lëshojë fondet për Radion Evropa e Lirë

Një gjykatë federale në Uashington ka pranuar kërkesën e Radios Evropa e Lirë (REL) për një masë të përkohshme në padinë kundër Agjencisë Amerikane për Media Globale (USAGM), duke urdhëruar disbursimin e fondeve të mbetura të miratuara nga Kongresi për vitin fiskal 2025.
Vendimi, i marrë më 18 korrik nga gjyqtari Royce Lamberth, e cilëson si shkelje ligjore vendosjen e kushteve të reja nga USAGM për marrëveshjen e financimit me REL-in, si dhe dështimin e agjencisë për të negociuar në mirëbesim. “Është e paprecedent që një agjenci federale të ndërpresë komunikimin dhe të kërkojë kushte të reja për një marrëdhënie shumëvjeçare ligjore, përkundër detyrimit për të siguruar fonde të miratuara nga Kongresi,” thuhet në vendimin e gjykatës.
Mungesa e fondeve e kishte detyruar REL-in të dërgojë punëtorë në pushim administrativ dhe të anulojë programe, duke shkaktuar, sipas gjykatës, “dëm të pashmangshëm në ndikimin global” të këtij transmetuesi.
Presidenti dhe drejtori ekzekutiv i REL-it, Steve Capus, e cilësoi vendimin si “kulmin e përpjekjeve të palodhura ligjore për të mbrojtur misionin jetik të gazetarisë së pavarur.” Ai theksoi se vendimi u jep gazetarëve të REL-it forcën për të vazhduar informimin e afro 47 milionë njerëzve çdo javë në 23 vende dhe në 27 gjuhë të ndryshme.
“Kjo është një fitore për gazetarinë e lirë dhe një mesazh i qartë se propaganda autoritare nuk duhet të dominojë hapësirën e informacionit,” u shpreh Capus, duke shtuar se REL-i do të vazhdojë të avancojë interesat e sigurisë kombëtare të SHBA-së përmes gazetarisë së pavarur.
USAGM është një agjenci e pavarur qeveritare që mbikëqyr transmetimin e lajmeve dhe informacionit në më shumë se 60 gjuhë, me një audiencë javore globale prej mbi 400 milionë njerëzish. Për vitin fiskal 2025, buxheti i kërkuar për USAGM-në është 950 milionë dollarë, prej të cilave rreth 153 milionë ishin planifikuar për Radion Evropa e Lirë.