Lajme

Gjonaj: Shqipëria po dështon në mbrojtjen e të dhënave personale – Koalicioni PD-ASHM paraqet plan masash për sigurinë digjitale

Sekretari Dixhital i Partisë së Lirisë, Hamëz Gjonaj, ngriti sot alarmin për sigurinë digjitale në vend, duke deklaruar se Shqipëria po përjeton një krizë të thellë në mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve. Gjatë një deklarate për mediat, Gjonaj denoncoi se për katër vite me radhë janë regjistruar rrjedhje të njëpasnjëshme të të dhënave sensitive, nga paga e deri te lëvizjet përmes sistemit TIMS, duke ekspozuar qytetarët dhe bizneset ndaj rreziqeve të mëdha.

“Jo vetëm që shteti nuk i mbrojti këto të dhëna, por asnjë institucion nuk mbajti përgjegjësi për pasojat. Kjo është braktisje e qytetarit,” deklaroi Gjonaj, teksa ngriti pyetjen thelbësore: “Ku është shteti kur të dhënat tona shpërndahen lirshëm në rrjet?”

Në emër të koalicionit PD – Aleanca për Shqipërinë Madhështore, ai paraqiti një plan konkret me gjashtë masa kryesore për të ndalur këtë krizë dhe për të garantuar të drejtat e qytetarëve:

1.Audit kombëtar në të gjitha sistemet digjitale shtetërore.

2.Ligj i ri për mbrojtjen e të dhënave personale dhe krijimi i një Agjencie të Pavarur për Privatësinë.

3.Forcim i sigurisë teknologjike në sisteme kritike si TIMS, bankat dhe institucionet publike.

4.Sanksione të rrepta për abuzuesit e të dhënave.

5.Kompensim financiar për qytetarët e prekur.

6.Mbështetje financiare për bizneset në rritjen e kapaciteteve për sigurinë kibernetike.

Sipas tij, qytetarët shqiptarë kanë humbur jo vetëm të drejta, por edhe besimin në institucionet që duhet t’i mbrojnë. “Kemi një plan të qartë dhe vullnet për ta zbatuar. Shteti duhet të bëhet garantues i sigurisë, jo rreziku më i madh i saj,” përfundoi Gjonaj.

Në një kohë kur siguria digjitale është kthyer në një ndër shqetësimet kryesore në vend, deklarata e Gjonajt vjen si një thirrje për ndërgjegjësim dhe veprim të menjëhershëm.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button