GJKKO drejt vendimit për padinë e OSHEE ndaj Gazment Bardhit, Prokuroria kërkon pafajësi për deputetin

Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) po zhvillohet seanca mes kreut të grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, dhe Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), lidhur me padinë për shpifje që kjo e fundit ka ngritur ndaj deputetit demokrat.
Në qendër të padisë është një deklaratë e Bardhit bërë në Kuvend, ku ai akuzonte OSHEE-n për humbje të larta në rrjetin e energjisë, deklaratë që kompania e konsideron shpifëse dhe fyese.
Gjatë seancës së sotme, Prokuroria e Posaçme, përmes përfaqësuesit të saj Sotir Kllapi, kërkoi shpalljen e pafajshëm të Gazment Bardhit. Sipas prokurorit, deklaratat e deputetit janë bërë në kuadër të funksionit të tij si figurë qëndrore e opozitës dhe për më tepër, ai i ka adresuar pretendimet zyrtarisht në SPAK, i cili ka regjistruar procedim penal mbi çështjen.
“Deklaratat publike të Bardhit janë të lidhura me rolin e tij institucional. Nuk përbëjnë vepër penale, pasi përkojnë me kallëzimin e depozituar në SPAK. Nuk kemi të bëjmë as me shpifje, as me fyerje,” deklaroi prokurori Kllapi.
Edhe mbrojtja e Bardhit kërkoi rrëzimin e akuzave, duke argumentuar se veprimet e deputetit kanë qenë të kujdesshme dhe me synim mbrojtjen e interesit publik.
“Në seancat gjyqësore, OSHEE nuk ka qenë në gjendje të provojë se ku qëndron shpifja apo fyerja. Qëllimi i deklaratave të Bardhit ka qenë transparenca dhe mbrojtja e buxhetit të shtetit,” u shprehën avokatët e tij.
Ndërkohë, trupa gjykuese është tërhequr për vendim, i cili pritet të bëhet publik në vijim.
Ky proces gjyqësor ka tërhequr vëmendje të madhe publike, pasi lidhet me lirinë e fjalës së përfaqësuesve politikë dhe ndarjen mes akuzave institucionale dhe deklaratave politike.