Gjin Gjoni akuzon Ramën për diskriminim ndaj bizneseve në Lezhë: “Pas 11 Majit, PD do amnistojë për 5 vite sipërmarrësit që vijnë nga emigrimi”

Kandidati për deputet i Partisë Demokratike në Lezhë, Gjin Gjoni, ka reaguar përmes një postimi në Facebook duke akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë e tij për neglizhencë dhe diskriminim sistematik ndaj bizneseve në këtë qark.
Sipas Gjonit, “kampi i Gjadrit është i vetmi investim i huaj që solli Edi Rama në Lezhë gjatë 12 viteve të qeverisjes”, ndërsa shton se ky projekt nuk i shërben zhvillimit strategjik të zonës, e cila sipas tij duhet të kishte në fokus turizmin dhe bujqësinë.
Gjoni vlerëson sipërmarrësit e Shëngjinit dhe Lezhës si “heronj”, që pavarësisht mungesës së mbështetjes shtetërore kanë investuar për dekada me radhë dhe kanë gjeneruar mirëqenie për mijëra familje.
Ai akuzon qeverinë se ka dështuar të ndërtojë rrugë strategjike si Lezhë–Shëngjin dhe Milot–Balldren, ndërsa është fokusuar në vendosjen e trarëve për të ardhurit nga Kosova, Tirana dhe Shkodra.
“Kryeministri i një vendi normal inauguron rrugë dhe autostrada. Ky i yni inauguron vetëm kulla dhe tra, investime të privatëve për të cilat vetëm firmos, ashtu si me inceneratorët”, shkruan Gjoni.
Duke paraqitur një pjesë të programit të PD-së për pas 11 Majit, ai premton se çdo sipërmarrës që kthehet nga emigrimi për të hapur biznes në Lezhë, do të përfitojë amnisti tatimore për 5 vite. Gjithashtu, ai thekson se një qeveri e re do të investojë në rrugë, kanalizime dhe infrastrukturë moderne për të mbështetur sipërmarrjen.