Gjenerallejtënant Bashkim Jashari përfaqëson Kosovën në Konferencën e Ushtrive Evropiane në Gjermani

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka udhëtuar për në Wiesbaden të Gjermanisë me ftesë të Shefit të Shtabit të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjeneral Randy Alan George, për të marrë pjesë në Konferencën e Ushtrive Evropiane (CEA).
Sipas njoftimit të Zyrës për Informim të FSK-së, në këtë konferencë të nivelit të lartë morën pjesë shefat e mbrojtjes nga mbi 40 vende të ndryshme. Tema kryesore e diskutimeve ishte “Ndërtimi i Gatishmërisë për Parandalimin Global”, me fokus në rëndësinë e të menduarit strategjik dhe bashkëpunimit ndërkombëtar për adresimin e sfidave të sigurisë globale.
Gjatë konferencës, pjesëmarrësit diskutuan për gatishmërinë ushtarake, përmirësimin kolektiv, rritjen e ndërveprueshmërisë dhe shfrytëzimin e të dhënave të drejtpërdrejta në analizimin e strategjive ushtarake.
FSK thekson se pjesëmarrja në këtë konferencë është një dëshmi konkrete e angazhimit të Kosovës në arkitekturën e sigurisë ndërkombëtare, si dhe rolit të saj në rritje si një partnere e besueshme në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Konferenca CEA konsiderohet si një ndër platformat më të rëndësishme për shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e bashkëpunimit ushtarak mes vendeve partnere.