Lajme

Gazment Bardhi denoncon rrëmbimin e pronave të 24 familjeve në Fier

Drejtuesi i Partisë Demokratike në Fier, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër ndaj veprimeve të Bashkisë Fier, duke akuzuar autoritetet për rrëmbimin e pronave të 24 familjeve, të cilat janë përballur me shkatërrimin e shtëpive të tyre, pa një projekt të miratuar dhe pa përfunduar procedurat e shpronësimit.

Në një postim të tij në rrjetet sociale, Bardhi i kujton qytetarëve se, pas një denoncimi të bërë nga banorët dhe pas ndërhyrjes së Prokurorisë dhe Gjykatës, Agjencia e Zhvillimit të Territorit, në dhjetor 2023, konfirmoi se nuk kishte asnjë projekt për ndërtimin e stadiumit të lojërave me dorë, siç ishte shpallur më parë nga Bashkia. Kjo vërteton se 24 familjet janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre pa pasur asnjë plan të miratuar për realizimin e projektit të pretenduar.

Bardhi theksoi se veprimet e Bashkisë Fier përbëjnë një shkelje të rëndë të ligjit dhe një përpjekje për të përdorur pronat e qytetarëve për ndërtimin e pallateve në qendër të qytetit, me qëllim përfitime korruptive.

Postimi i plotë i Bardhit përmban detaje të ngjarjeve që datojnë që nga marsi i vitit 2018, kur banorëve iu njoftua se shtëpitë e tyre do të shemben për ndërtimin e stadiumit të lojërave me dorë. Ky vendim u kundërshtua nga banorët, por në qershor 2021 u dha urdhri për lënien e shtëpive brenda 5 ditëve, edhe pse procedurat e shpronësimit nuk kishin përfunduar. Shtëpitë e disa familjeve u shembën në tetor 2023, ndërkohë që të tjerat u lanë të paprekura, edhe pse u njoftuan se mund të prishen në çdo moment.

Bardhi kërkoi që Strukturat e Posacme Antikorrupsion të ndërmarrin një hetim të plotë dhe të shpejtë për këtë çështje, me qëllim që të identifikohen personat përgjegjës dhe të merren masa penale kundër tyre. Ai gjithashtu u premtoi qytetarëve se, pas 11 majit, veprime të tilla do të ndalen dhe askush nuk do të ketë mundësi t’i përzë nga shtëpitë e tyre.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button