
Gary Lineker, ish-legjendë e futbollit anglez dhe prej më shumë se një dekade figurë kryesore në BBC si komentator sportiv, është përfshirë sërish në një stuhi polemikash në rrjetet sociale. Kësaj here, ai është akuzuar për antisemitizëm pasi ripostoi në Instagram një video nga një profil pro-palestinez me titullin “cionizmi i shpjeguar në dy minuta”, shoqëruar me një emoji miu, simbol që ka shkaktuar reagime të forta.
Videoja u fshi më pas, por organizata Campaign Against Antisemitism, që lufton antisemitizmin dhe mbron interesat e Izraelit, e denoncoi rastin pranë BBC-së, duke rikujtuar përdorimin historik të figurës së miut në propagandën naziste për të denigruar hebrenjtë.
Agjenti i Lineker sqaroi se ai nuk e kishte vënë re emoji-n dhe se po ta kishte parë, nuk do ta kishte ripostuar videon. Por ky sqarim nuk e ndali përhapjen e kritikave. Aktivistët deklaruan se marrëdhënia e vazhdueshme e Lineker me BBC-në është e papranueshme dhe se “duhet të largohet”.
Lineker vazhdon të punojë për televizionin publik britanik, ndonëse largimi i tij në fund të kontratës është bërë i ditur prej kohësh. Kjo nuk është hera e parë që ai përballet me kritika për qëndrimet e tij publike në mbështetje të palestinezëve dhe për kritikat e tij ndaj Izraelit – përfshirë edhe një rast të mëparshëm kur ripostoi (dhe më pas fshiu) një thirrje për përjashtimin e Izraelit nga garat sportive ndërkombëtare për shkak të luftës së përgjakshme në Rripin e Gazës.