Ganimete Musliu sulmon Kurtin për vizitën në Greqi: “Katundi digjet, Kurti krihet”

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka reaguar ashpër ndaj pjesëmarrjes së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në Simpoziumin Ndërkombëtar të 27-të të Symit në Skiathos të Greqisë, duke e cilësuar këtë udhëtim si një “pushim luksoz” në kurriz të buxhetit të shtetit.
Musliu thotë se forumet e tilla janë pa ndikim konkret për Kosovën dhe nuk i sjellin asnjë përfitim vendit në aspektin politik apo diplomatik.
“Forumet e tilla, pa ndikim të qartë në normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me shtetet e tjera, njohjeve të reja apo integrimit të Kosovës në BE, bëhen vetëm për tangërllëk personal dhe pushime luksoze të Albinit,” ka shkruar Musliu.
Ajo shpreh shqetësimin për kostot e larta të akomodimit, të cilat, sipas saj, arrijnë deri në 700 euro nata. Në një kohë kur Kosova përballet me 16.6% varfëri dhe 16.3% papunësi, Musliu ngre dyshime për keqpërdorim të fondeve publike.
“Pjesëmarrja e Kurtit me kosto akomodimi prej minimumi 700 euro nata, ngre dyshime për keqpërdorim të fondeve publike, veçanërisht kur Kosova po përballet me sfida të rënda ekonomike dhe politike – pa kuvend, pa qeveri, pa institucione,” shton ajo.
Duke ironizuar situatën, Musliu përmend shprehjen popullore “Katundi digjet, Kurti krihet”, për të përshkruar, sipas saj, mungesën e përgjegjësisë politike dhe përpjekjet për ta paraqitur vizitën si arritje shtetërore.
“Ky udhëtim nuk i leverdisë asgjë Kosovës. Thënë troç, është një pushim luksoz për Albinin dhe personat që ai i takon atje nuk janë miq të vendit tonë,” përfundon Musliu, duke kërkuar që organet përgjegjëse të hetojnë financimin dhe qëllimin e kësaj vizite.
Simpoziumi në fjalë ka shënuar 20-vjetorin e Aleancës së Qytetërimeve të OKB-së (UNAOC) dhe është fokusuar në temat globale si multilateralizmi dhe rendi ndërkombëtar në epokën e multipolaritetit, por sipas Musliut, nuk ka asnjë ndikim konkret për Kosovën.