Kosova

Ganimete Musliu pas ndërprerjes së seancës: “Kuvendi nuk është seli e VV-së, por shtëpi e popullit”

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka reaguar për herë të parë pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, ku u bë epiqendra e debatit për shkak të ndërhyrjes së saj.

Në një prononcim për Klan Kosova, Musliu deklaroi se veprimi i saj ishte në funksion të mbrojtjes së demokracisë dhe zërit të qytetarëve, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për arrogancë dhe përpjekje për të kapur institucionet.

“Duhet ta kenë të qartë një herë e përgjithmonë edhe Avni Dehari, Albin Kurti dhe Dejona Mihali që Kuvendi nuk është seli e VV-së, është shtëpi e popullit, është shtëpi e demokracisë. Në demokraci shumica gjithmonë i merr vendimet”, tha Musliu, duke nënvizuar se 68 për qind e qytetarëve nuk janë përfaqësuar nga VV, edhe pse kanë votuar në shumicë.

Ajo theksoi se nuk do të lejojë “poshtërimin nga VV-ja” dhe akuzoi kryeministrin Kurti për bllokimin e qëllimshëm të punimeve të Kuvendit. “Janë bërë 51 seanca të dështuara për shkak të qejfeve të një njeriu. Kjo është e papranueshme dhe e patolerueshme”, u shpreh ajo.

Ndërhyrja e Musliut në seancë dhe qëndrimi i saj publik kanë ndezur reagime të ndryshme në skenën politike, në një kohë kur institucionet e vendit mbeten ende të pakonstituuara.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button