
Në kulmin e fushatës elektorale, kryetari i Këshillit Bashkiak, Oltion Luli u bën thirrje këshilltarëve të PSD-së të marrin pjesë në mbledhje, duke treguar dhe njëherë përçarjen e krijuar mes Tom Doshit e Benet Becit në Shkodër. Këshilli Bashkiak i Shkodrës nuk mund të marrë asnjë vendim pa praninë e këshilltarëve të Tom Doshit, në këto kushte kreu i këshillit, Oltion Luli u detyrua të kërkojë publikisht pjesëmarrjen e tyre në mbledhjen e radhës.
“Fushata elektorale nuk duhet të ndikojë në vendimet e rëndesishme te keshillit bashkiak për qytetin, tha ai”.
Kjo lëvizje e sociliasitëve në këshill, apriori e Benet Becit, vjen pasi më 9 Prill, këshilltarët e PSD dhe PD bojkotuan mbledhjen. “Një rast tipik eshtë ai i mbledhjes së kaluar, ku këshilltarët e PSD-së dhe të PD-së bojkotuan vendime të rëndësishme për funksionimin normal të gytetit. Vendime që duhet të qëndrojne larg interesave të ngushta partiake dhe të mos përdoren për qëllime elektorale”, u shpreh ai.
Pa demokratët dhe socialdemokratët, bashkia e Shkodrës nuk mund të marrë vendimin e rëndësishëm për menaxhimin e plazhit të Velipojës.
“Mospasja e një vendimi përkatës bën që te mos kemi një strukturë të mirefillte për menaxhimin e plazheve me çmime te lira për pushuesit shkodranë, si dhe për garantimin e kushteve dhe standardeve më të larta për Velipojën – destinacionin kryesor turistik të Shkodrës”, tha ai.
I pyetur nga gazetarët nësë vendimet e këshillit po përdoren për fushatë nga vetë Bashkia e drejtuar nga Benet Beci, kreu i këshillit u shpreh se asnjë vendim nuk ka lidhje me zgjedhjet e 11 Majit.
“Mendoj se ka ardhur momenti që të tregojme qytetari pergjegjshmeri – dhe te lëme pas interesat politike, për ti shërbyer Shkodrës, jo me bllokime, por me vendime të drejta”, tha ai.
Kujtojmë se më 9 Maj, këshilltarët e Tom Doshit braktisën mbledhjen e këshillit bashkiak. Aksionit të tyre politik iu bashkuan dhe këshilltarët e Berishës. Mbledhja e radhës parashikohet në fillim të Majit, por Benet Beci dhe socialistët nuk formojnë dot kuorumin pa Doshin. Aktualisht PS ka 18 këshilltarë, PSD 11 këshilltarë, PD 12 këshillarë dhe 5 janë të Bashës.