Kosova

FSK vizitë zyrtare në Shqipëri për të thelluar bashkëpunimin ushtarak me FARSH

Në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm ushtarak ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë (FARSH), një delegacion nga Komanda e Logjistikës së FSK-së ka realizuar një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Delegacioni, i kryesuar nga Zëvendëskomandanti i Komandës së Logjistikës, Kolonel Mehmet Lladrovci, u prit nga përfaqësues të lartë të FARSH-së në Komandën Mbështetëse dhe strukturat vartëse të saj.

Në fushën logjistike, delegacioni u prit nga Komandanti i Komandës Mbështetëse, Gjeneral Brigade Aleksandër Pando dhe stafi i tij, ndërsa në fushën shëndetësore u zhvilluan takime me Zëvendëskomandantin e Komandës së Forcave Tokësore, Gjeneral Brigade Vehbije Kuti dhe Nënkolonelen Marinela Mjeda, ushtruese e detyrës së Drejtorit të Inspektoratit Shëndetësor të FARSH-së.

Gjatë vizitës, përfaqësuesit e FSK-së u informuan në detaje mbi strukturën organizative, kapacitetet logjistike dhe ato shëndetësore të ushtrisë shqiptare. Palët diskutuan gjithashtu mundësitë konkrete për bashkëpunim të mëtejshëm dhe shkëmbim përvojash ndërmjet dy forcave.

FSK thekson se gjatë takimeve u rikonfirmua përkushtimi i përbashkët për të forcuar dhe thelluar marrëdhëniet ushtarake ndërmjet dy vendeve.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button