FSK përfundon me sukses kursin bazik për Xhenier Luftarak

Forca e Sigurisë së Kosovës ka përmbyllur me sukses “Kursin Bazik për Xhenier Luftarak”, një trajnim i rëndësishëm që synon rritjen e kapaciteteve operacionale të pjesëtarëve të saj në fushëbetejë.
Sipas njoftimit zyrtar, kursi është zhvilluar nga instruktorët e Regjimentit të Xhenios të Gardës Kombëtare, me mbështetje nga Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes si dhe Komanda e Forcave Tokësore. Kursantët janë trajnuar në fushat themelore të Xhenios Luftarake, përfshirë ndërtimin e fortifikimeve fushore dhe urbane, kalimin e pengesave ujore, përdorimin e eksplozivëve për hapjen e rrugëve, si dhe operimin në fusha të minuara.
Ky trajnim është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të FSK-së për të avancuar aftësitë profesionale të pjesëtarëve të saj dhe për të garantuar një përgjigje efektive në situata të luftës urbane dhe kërcënimeve të tjera taktike.