FSK dhe Policia e Kosovës zhvillojnë trajnim të përbashkët për taktika me njësi të vogla

Në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka organizuar trajnimin “Taktikat me Njësi të Vogla”, me pjesëmarrjen aktive të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
Sipas njoftimit zyrtar nga FSK, ky trajnim intensiv dhe sfidues është realizuar nga instruktorët e kësaj force dhe ka synuar rritjen e kapaciteteve profesionale në fushën e këmbësorisë, duke përfshirë aspekte teorike dhe praktike.
“Bashkëpunimi ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës forcon kapacitetet ndërinstitucionale në funksion të sigurisë dhe stabilitetit të vendit”, thuhet në njoftimin e FSK-së.
Ky trajnim vjen si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për ngritjen e gatishmërisë dhe koordinimit ndërmjet institucioneve të sigurisë në Kosovë.