Franco Foda realist për Botërorin: “Kosova nuk është favorite, por mund të jetë shumë e rrezikshme”

Selektori i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka folur sot në një konferencë për shtyp, ku është ndalur te gjasat e Dardanëve për t’u kualifikuar në Kampionatin Botëror.
Trajneri gjerman pranoi se objektivi është i vështirë, por theksoi se skuadra ka potencial për t’u treguar e rrezikshme në këtë cikël kualifikues.
“E kemi një grup aspak të lehtë. E kemi një ekip shumë të mirë, kemi kualitet, kemi mundësi. Dihet tashmë se vendi i parë kualifikohet direkt. Ne jemi duke luajtur futboll, jetojmë për futboll. Jam shumë i bindur se e kemi formuar një ekip shumë të mirë dhe këtë bindje do ta përcjell tek ekipi,” tha Foda.
Ai shtoi se Kosova nuk e nis si favorite, por ka kapacitet për të befasuar rivalët.
“Nuk jemi favoritë, por mund të jemi shumë të rrezikshëm. Këto dy ndeshje do të tregojnë se çfarë drejtimi do ta marrim në këtë cikël eliminator. Nuk do të jetë një udhëtim i lehtë,” theksoi ai.
Kosova do të përballet këtë të premte me Zvicrën në udhëtim, ndërsa të hënën e ardhshme do të presë Suedinë në stadiumin e Prishtinës.