FMN vlerëson politikën monetare të Shqipërisë: Sejko takon përfaqësuesit në Tiranë

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi sot një takim me përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të kryesuar nga zj. Anke Weber, shefe e Misionit për Shqipërinë. Vizita e delegacionit të FMN-së kishte për qëllim zhvillimin e dialogut periodik mbi zhvillimet ekonomike dhe financiare në vend, si dhe përcaktimin e politikave për nxitjen e një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik dhe ruajtjen e stabilitetit monetar e financiar.
Gjatë takimit, Guvernatori Sejko informoi mbi ecurinë e fundit të ekonomisë shqiptare, duke theksuar se aktiviteti ekonomik ka vijuar rritjen me ritme të qëndrueshme, inflacioni është stabilizuar në nivele të ulëta dhe tregjet financiare janë karakterizuar nga qetësi dhe kushte të favorshme financimi.
Ai vuri në dukje se politika monetare e ndjekur nga Banka e Shqipërisë ka krijuar kushte të përshtatshme për përmbushjen e objektivit të stabilitetit të çmimeve. Në këtë kuadër, në fillim të korrikut, Banka ndërmori një lehtësim të qëndrimit monetar në përputhje me qasjen fleksibël dhe të bazuar në të dhëna që ka ndjekur ndër vite.
Përsa i përket sektorit bankar, Guvernatori theksoi qëndrueshmërinë e tij, të reflektuar në nivele të larta kapitalizimi e likuiditeti dhe në përmirësimin e cilësisë së aktiveve. Sipas Sejkos, treguesi i kredive me probleme ka rënë në 4.17% në fund të vitit 2024, nga 4.74% një vit më parë, dhe kjo tendencë pozitive ka vijuar edhe në pjesën e parë të vitit 2025.
Megjithatë, ai theksoi se ekonomia shqiptare mbetet përballë disa sfidave, përfshirë pasiguritë e mjedisit të jashtëm, rritjen e barrierave tregtare dhe tensionet gjeopolitike, që kërkojnë vigjilencë dhe fleksibilitet në hartimin e politikave.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e FMN-së shprehën mbështetjen e plotë për politikën monetare të ndjekur nga Banka e Shqipërisë dhe rolin e saj kyç në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik. Ata theksuan rëndësinë e vijimit të regjimit të kursit të lirë të këmbimit dhe e vlerësuan si një instrument efektiv për përballimin e goditjeve të jashtme dhe për afrimin me standardet e BE-së.
FMN gjithashtu përgëzoi përpjekjet e Bankës së Shqipërisë në forcimin e mbikëqyrjes bankare, mbrojtjen e konsumatorit, kujdesin makroprudencial – sidomos në menaxhimin e kredive hipotekare – dhe zhvillimin e sistemit të pagesave.
Në përmbyllje, u theksua rëndësia e një banke qendrore të pavarur dhe transparente për të ruajtur besimin e investitorëve dhe për të nxitur një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm. Të dyja palët konfirmuan bashkëpunimin shumë të mirë dhe diskutuan për fillimin e punës për një program vlerësimi të sektorit financiar (FSAP) gjatë vitit të ardhshëm.