Kosova

Fluks rekord turistësh kosovarë drejt Shqipërisë – Autoritetet në Morinë dhe Vërmicë rrisin kapacitetet

Sezoni turistik në Shqipëri ka hyrë në kulmin e tij, me një rritje të ndjeshme të hyrjeve në pikat kufitare me Kosovën, veçanërisht në Doganën e Morinës. Sipas të dhënave zyrtare të shërbimeve kufitare, nga data 1 korrik deri më 15 korrik 2025, në hyrje të Shqipërisë janë përpunuar 328,143 shtetas dhe 98,347 automjete, ndërsa në dalje 367,235 shtetas dhe 122,471 mjete.

Fluksi i lartë i qytetarëve kosovarë që zgjedhin bregdetin shqiptar për pushime është evident jo vetëm gjatë fundjavave, por edhe gjatë ditëve të zakonshme të javës. Pushuesit nga Kosova shprehen të kënaqur me përmirësimet e vërejtura këtë vit, duke theksuar çmimet më të arsyeshme, plazhet më të pastra dhe një organizim më të mirë të hapësirave publike.

Pika kufitare në Vërmicë ka regjistruar gjithashtu fluks të madh. Krahas turistëve, shumë emigrantë kosovarë që janë kthyer për pushime në vendlindje, zgjedhin të kalojnë disa ditë edhe në bregdetin shqiptar. Megjithatë, ata theksojnë se mikpritja dhe cilësia e shërbimeve në disa zona bregdetare ende kanë hapësirë për përmirësim.

Për të shmangur pritjet e gjata, autoritetet kufitare në Morinë dhe Vërmicë po operojnë me nga 6 sportele në hyrje dhe dalje, duke mundësuar qarkullim më të shpejtë. Ndërkohë, shtetasit e Shqipërisë dhe Kosovës kalojnë pa kontrolle kufitare, ndërsa për turistët e huaj janë aplikuar procedura të përshpejtuara.

Në mesditë është vërejtur edhe një rritje e ndjeshme e qarkullimit të kamionëve transportues të mallrave, çka dëshmon për një rritje të aktivitetit tregtar ndërmjet dy vendeve gjatë verës.

Një pjesë e rëndësishme e hyrjeve nga Shqipëria në Kosovë i atribuohet emigrantëve kosovarë që kthehen për pushime, si dhe turistëve të huaj që e përdorin Rrugën e Kombit si korridor tranziti për të vizituar edhe Kosovën gjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri.

Ndërkohë, shifrat e publikuara për hyrjet në Shqipëri përfshijnë vetëm qytetarët nga Kosova, pa llogaritur fluksin gjithnjë në rritje nga vendet e tjera të rajonit dhe më gjerë.

Autoritetet parashikojnë që fluksi i pushuesve të mbetet i lartë deri në fund të gushtit, duke sjellë një sezon veror më të suksesshëm se vitet e mëparshme.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button