Florida Ymeri: Sistemi shëndetësor, një nga dështimet më të mëdha të qeverisë Rama – Mjekët nuk janë problemi, problemi është sistemi

Kryetarja e Komisionit të Shëndetësisë në Partinë e Lirisë, Florida Ymeri, ka reaguar me tone të ashpra ndaj situatës aktuale në shëndetësinë publike, duke e cilësuar atë si një nga dështimet më të mëdha të qeverisë Rama në 12 vitet e fundit.
Përmes një postimi në Facebook, Ymeri theksoi se qytetarët shqiptarë po detyrohen të kërkojnë ndihmë mjekësore jashtë vendit, jo për shkak të mungesës së aftësisë profesionale të mjekëve, por për shkak të mungesës së pajisjeve, teknologjisë moderne dhe barnave në spitalet publike.
“Sistemi ynë shëndetësor po përballet me një krizë të thellë: mungesën e pajisjeve bazë, mungesën e teknologjisë së avancuar dhe shpërqendrimin e qëllimshëm të përgjegjësisë nga sistemi drejt mjekëve dhe infermierëve”, shkruan Ymeri, duke denoncuar mungesën e aparaturave diagnostike si rezonanca magnetike, mamografitë dhe skanerët CT në shumë spitale të vendit.
Ajo akuzon qeverinë se në vend që të përballet me realitetin dhe të përmirësojë kushtet në spitale, zgjedh të fajësojë bluzat e bardha për kolapsin e sistemit.
“Kur qytetarët ngrenë zërin — qeveria hesht. Kur mjekët kërkojnë kushte — qeveria i sulmon. Kur sistemi dështon — ata fajësojnë bluzat e bardha!”, shkruan Ymeri, duke shtuar se kjo qeveri “nuk ka luftuar asnjëherë për një shëndetësi më të mirë, por vetëm ka kërkuar kë të fajësojë”.
Sipas saj, koalicioni PD-ASHM, pjesë e të cilit është edhe Partia e Lirisë, ka një vizion të qartë për të transformuar shëndetësinë publike dhe për ta kthyer atë në një sistem modern, të aksesueshëm dhe dinjitoz për çdo qytetar. Ndër pikat kryesore të programit të propozuar përfshihen:
Pajisja e spitaleve me teknologji moderne;
Krijimi i një skeme kombëtare për mirëmbajtjen dhe përditësimin e aparaturave mjekësore;
Rritja e financimit për shëndetësinë;
Përfshirja e mjekëve në vendimmarrje;
Ngritja e një sistemi transparent për rekrutimin dhe trajnimin e stafit mjekësor;
Garantimi i aksesit universal në kujdes shëndetësor cilësor.
Ymeri përmbylli reagimin e saj me një thirrje për të votuar më 11 maj për Koalicionin PD-ASHM dhe kandidatin Ilir Metaj, duke theksuar se “shëndetësia nuk mund të jetë luks – duhet të jetë e drejtë themelore për çdo qytetar”.