Lajme

Flamur Noka nga Gramshi: 12 vite dështim, PD ofron zgjidhje konkrete për qytetarët

Nga Gramshi, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, u bëri thirrje banorëve të japin një përgjigje të merituar ndaj “Rilindjes”, për atë që ai e quajti shkatërrim ekonomik, social dhe infrastrukturor gjatë 12 viteve të fundit.

Në takime me qindra qytetarë dhe gjatë vizitave në fshatrat Skënderbegas dhe Cërujë, Noka kritikoi ashpër qeverinë aktuale, duke e cilësuar si një poshtërim të vazhdueshëm mashtrimin që, sipas tij, u bëhet qytetarëve nga Kryeministri Rama.

Noka vuri theksin te problematikat e zonës, si largimi masiv i të rinjve, shkatërrimi i sistemit arsimor, mungesa e subvencioneve për bujqësinë dhe dështimi i premtimeve për shëndetësi falas.

“Ju keni vetëm një detyrë, t’i jepni votën politikës. Pushteti ka detyrë t’ju japë shërbime, t’ju ndërtojë rrugët, t’ju sistemojë shkollat dhe qendrat shëndetësore. A ka ndodhur kjo në 12 vite? Jo!” – deklaroi Noka.

Ai theksoi se qeveria aktuale ka shfrytëzuar qytetarët vetëm në kohë zgjedhjesh, duke i blerë me ndihma minimale, ndërsa në realitet ka dështuar të sjellë zhvillim dhe mirëqenie.

Në vijim, Noka prezantoi pjesë të programit të Partisë Demokratike, ku përfshihen:

Rroga minimale 500 euro dhe rroga mesatare 1200 euro,

Pensione dhe ndihmë ekonomike jo më pak se 200 euro,

Bursa studentore minimale 200 euro,

Çmim energjie 7 lekë për kilovat,

Kartë Konsumatori për rimbursim të TVSH-së deri në 450 mijë lekë në vit për çdo çift pensionistësh,

Falje të kamatëvonesave të dritave dhe ujit, si dhe përfundim të procesit të legalizimeve.

Në fund, ai theksoi se besueshmëria e Partisë Demokratike dhe e liderit Sali Berisha buron nga veprat e kryera në të kaluarën, si ndërtimi i mbi 11 mijë kilometrave rrugë, mbi 1000 shkolla dhe zhvillimi i projekteve madhore infrastrukturore.

“Ne ndërtuam kur kishim buxhetin gjysmën e sotëm. Këta nuk kanë bërë asgjë në 12 vite. Tani është koha që të bëjmë ndryshimin,” përfundoi Noka.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button