Sport

Fitore historike për Dardanët U20 – Kosova në çerekfinale të EuroBasketit, pas triumfit ndaj Hungarisë

Përfaqësuesja U20 e Kosovës në basketboll ka shkruar histori mbrëmë, duke u kualifikuar për herë të parë në çerekfinale të Kampionatit Evropian FIBA U20 – Divizioni B. Dardanët e rinj shënuan një fitore të madhe dhe emocionuese ndaj Hungarisë, me rezultat 78:73.

Ndeshja nisi në mënyrë fantastike për Kosovën, që realizoi një seri të fuqishme 19:2, duke e përmbyllur çerekun e parë me epërsi të qartë, 25:17. Hungarezët u rikthyen në periudhën e dytë, të cilën e fituan 21:16, por Kosova shkoi në pushim me epërsi të ngushtë, 41:38.

Pjesa e dytë filloi po aq fuqishëm për Dardanët. Perioda e tretë u dominua nga kosovarët që arritën të shkëputen deri në 16 pikë avantazh, 54:38, dhe e përfunduan çerekun me rezultat 60:47.

Drama erdhi në periudhën e fundit. Kosova ishte në epërsi 73:56 pesë minuta para fundit, por Hungaria reagoi me një seri të frikshme 15:0, duke ngushtuar rezultatin në 73:71. Megjithatë, djelmoshat kosovarë ruajtën qetësinë në momentet vendimtare dhe siguruan një fitore historike me pesë pikë epërsi, 78:73.

Erolt Rrahmani ishte lojtari më i mirë i ndeshjes, me 21 pikë dhe 11 kërcime. Jon Ismajli dhe Hadis Durguti kontribuan nga 17 pikë secili, ndërsa Rron Dahsyla shtoi 15 pikë të tjera.

Kjo ishte fitorja e tretë radhazi për Kosovën, pas triumfeve ndaj Suedisë dhe Shqipërisë. Tani, Kosova e ndan vendin e parë në Grupin D me Turqinë, ku të dyja përfaqësueset kanë nga tri fitore. Përplasja për vendin e parë në grup do të zhvillohet sot, në një tjetër sfidë të rëndësishme për basketbollin kosovar.

Kualifikimi në çerekfinale përbën suksesin më të madh historik për gjeneratat e reja të basketbollit në Kosovë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button