Finalizohet me sukses ekstradimi nga Dubai i të shumëkërkuarit F. Ç., në kuadër të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”

Policia e Shtetit, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe në vijim të shkëmbimit të menjëhershëm të informacionit mes strukturave të specializuara për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, ka finalizuar me sukses një tjetër fazë të operacionit të koduar “The Wanted”.
Pasditen e sotme, në aeroportin e Rinasit, është realizuar ekstradimi nga Dubai i shtetasit F. Ç., 44 vjeç, banues në Elbasan, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për përfshirje në veprimtari kriminale.
Operacioni u zhvillua falë bashkëpunimit efikas në aspektin hetimor dhe operacional me partnerët ndërkombëtarë, duke konfirmuar edhe një herë vendosmërinë e Policisë së Shtetit për të çuar para drejtësisë shtetasit e shpallur në kërkim, kudo që ndodhen.
Policia e Shtetit do të vijojë me intensitet të lartë punën për lokalizimin dhe ekstradimin e të gjithë personave që i fshihen drejtësisë.