Sport

FIFA shqyrton ndryshime për Botërorin e Klubeve: Mundësi për tri klube nga i njëjti shtet

Pas suksesit të edicionit të parë të Botërorit të Klubeve me 32 skuadra, FIFA po shqyrton ndryshime të reja në formatin e garës. Një nga propozimet kryesore është rritja e numrit të klubeve pjesëmarrëse nga i njëjti shtet, duke kaluar nga dy në tri.

Ky ndryshim synon të shmangë situatat si në edicionin e parë, kur klube të mëdha si Barcelona, Napoli apo Liverpool mbetën jashtë për shkak të limitit prej dy skuadrash për shtet, pavarësisht se kishin fituar tituj vendorë. Në atë edicion, Premierliga u përfaqësua vetëm nga Chelsea dhe Manchester City, ndërsa Liverpool, kampion i ligës, nuk arriti të marrë pjesë.

Në kuadër të propozimeve është edhe zgjerimi i turneut në 48 skuadra. Ky opsion ka marrë mbështetjen e Asociacionit të Klubeve Evropiane (ECA), por është kundërshtuar nga UEFA, e cila gjithashtu nuk pajtohet me idenë që Botërori i Klubeve të zhvillohet çdo dy vjet, duke preferuar formatin aktual çdo katër vjet.

Kjo çështje pritet të diskutohet në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të FIFA-s, ku do të vendoset mbi të ardhmen e turneut.

Edicioni i parë i Botërorit të Klubeve u zhvillua në SHBA dhe u fitua nga Chelsea. Edicioni i dytë është paraparë të mbahet në vitin 2029.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button