Sport
FIFA gjobit Serbinë pas incidenteve – rrezikohet ndeshja ndaj Shqipërisë

Federata Serbe e Futbollit është ndëshkuar nga FIFA me 50 mijë franga zvicerane pas incidenteve të regjistruara gjatë ndeshjes kundër Andorrës, e zhvilluar në stadiumin e Leskovcit.
Përveç gjobës financiare, FIFA ka urdhëruar edhe mbylljen e një pjese të stadiumit për ndeshjen e radhës, atë kundër Anglisë. Plot 8.100 ulëse do të mbeten bosh si pjesë e masave ndëshkuese.
Në vendimin zyrtar, FIFA paralajmëron se, nëse incidentet vazhdojnë, penalizime të ngjashme ose më të ashpra do të aplikohen edhe në sfidën e ardhshme ndaj Shqipërisë.
Kjo nënkupton se përballja mes Serbisë dhe Shqipërisë në Beograd mund të zhvillohet me një numër të kufizuar tifozësh – madje nuk përjashtohet as mundësia e zhvillimit të saj me dyer të mbyllura.