Fier – 101-vjeçarja çregjistrohet nga lista e votuesve, familjarët: Është gjallë, merr pension dhe jeton në shtëpi

Një rast shqetësues është denoncuar publikisht në Fier, ku një qytetar, Isuf Nuhaj, ka ngritur zërin kundër çregjistrimit të nënës së tij, 101-vjeçares Fadile Nuhaj, nga lista e votuesve.
Sipas denoncimit, pavarësisht se zonja Nuhaj është gjallë, merr rregullisht pensionin dhe jeton në të njëjtën banesë familjare, autoritetet zgjedhore e kanë hequr nga lista e votuesve pa asnjë paralajmërim apo njoftim zyrtar.
“Është e papranueshme që nëna ime, një grua që ka kaluar një shekull jetë, të mohohet nga shteti pa asnjë arsye. Jam sorollatur mes gjykatës dhe zyrës së gjendjes civile, por askush nuk më jep një përgjigje të qartë,” tha Isuf Nuhaj.
Ky rast ngre pikëpyetje serioze mbi saktësinë e listave zgjedhore dhe procedurat që ndiqen për përditësimin e tyre. Familja Nuhaj kërkon që autoritetet përkatëse të reagojnë menjëherë dhe të korrigjojnë gabimin, në mënyrë që zonja Fadile të ushtrojë të drejtën e saj të votës si qytetare e rregullt e Republikës së Shqipërisë.
Rasti ka ngjallur reagime edhe në rrjetet sociale, ku qytetarë të shumtë kanë shprehur indinjatën për mënyrën sesi trajtohen të moshuarit në proceset zgjedhore.