Ferizaj: Policia shpëton 21-vjeçaren që tentoi të hidhej nga ballkoni

Një vajzë 21-vjeçare është shpëtuar në orët e hershme të mëngjesit të së mërkurës në Ferizaj, pasi tentoi të hidhej nga ballkoni i një kompleksi banesor.
Policia e Kosovës njoftoi se rreth orës 04:30 ishte informuar nga qytetarët për rastin, duke ndërhyrë me shpejtësi në vendngjarje.
“Sapo patrullat kanë arritur, kanë vërejtur vajzën në anën e jashtme të ballkonit. Pas përpjekjeve për ta qetësuar, njëri prej policëve është ngjitur në banesë, ka hapur derën me forcë dhe me ndihmën e një kolegu ka arritur ta tërheqë viktimën brenda”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Në vendngjarje ka dalë edhe ekipi i emergjencës, i cili i ofroi ndihmën e parë vajzës, e cila ndodhej në gjendje të rënduar psikike dhe emocionale. Ajo u shoqërua për trajtim fillestar në Qendrën Emergjente në Ferizaj, ndërsa më pas u transferua në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë për kujdes të mëtejmë.
Policia ka njoftuar familjarët e saj dhe ka apeluar qytetarët që të raportojnë raste të ngjashme për të parandaluar situata tragjike.