Ferizaj: Katër persona në paraburgim për shitblerje të kokainës

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga gjykata caktimin e masës së paraburgimit për katër persona të dyshuar për përfshirje në shitblerje të substancave narkotike.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, gjatë kontrollit të realizuar më 28 tetor 2025 në Ferizaj, është konstatuar dyshimi i bazuar se më 22 tetor, i pandehuri Q.T., me një automjet të tipit “Golf 8” ngjyrë e zezë, kishte dorëzuar një çantë ngjyrë krem-kafe me mbishkrimin “EUROLAND” tek të pandehurit E.E. dhe E.V. Çanta dyshohet se përmbante substancë narkotike të llojit kokainë, e cila ishte lënë në mobilerinë e E.E., në fshatin Greme.
Një ditë më vonë, më 23 tetor rreth mbrëmjes, E.E. kishte kërkuar që çanta t’i dërgohej në shtëpi, gjë që ishte realizuar. Gjatë kontrollit në shtëpinë e E.V. janë gjetur dhe sekuestruar 734.4 gram kokainë, një peshore digjitale, dorëza lateksi, materiale për paketim dhe e njëjta çantë me mbishkrimin “EUROLAND”.
Prokuroria njofton se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit, në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, në bazë të nenit 267 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, katër të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa është kërkuar masa e paraburgimit ndaj tyre.



