Ferizaj: Dogana sekuestron barna të kontrabanduara – zbulohet edhe bunker i fshehur

Një operacion i suksesshëm është realizuar sot nga Njësitet Antikontrabandë të Doganës së Kosovës në qytetin e Ferizajit, ku si rezultat janë sekuestruar qindra barna të dyshuara si të kontrabanduara.
Aksioni është zhvilluar në tre lokacione të ndara, të cilat i përkisnin të njëjtit subjekt afarist, duke ngritur dyshime të forta për veprimtari të paligjshme në sektorin farmaceutik.
Gjatë kontrollit:
Në dy nga tre lokacionet janë identifikuar barna pa dokumentacion përkatës dhe pa banderola.
Në njërin prej tyre, është zbuluar një hapësirë e veçantë e fshehur – një bunker i ndërtuar posaçërisht për të fshehur barnat e kontrabanduara.
Në total, Dogana e Kosovës ka sekuestruar 168 lloje të barnave, në një sasi prej 1,173 paketimesh.
Autoritetet kanë bërë të ditur se do të ndërmerren të gjitha veprimet ligjore ndaj palëve të përfshira në këtë rast. Po ashtu, Dogana ka rikujtuar qytetarët se kontrabanda me barna është një rrezik serioz për shëndetin publik dhe përbën vepër penale.
“Dogana mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës dhe në mbrojtjen e tregut dhe të konsumatorit”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Indeksonline ka siguruar edhe pamjet ekskluzive nga vendi i ngjarjes.