Kosova

Ferat Shala: Presidentja Osmani pjesë e pazareve për krijimin e institucioneve

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, ka akuzuar presidenten Vjosa Osmani se po bëhet pjesë e pazareve politike për formimin e institucioneve të reja. Reagimi i tij vjen pas kërkesës së presidentes për masë të përkohshme ndaj Gjykatës Kushtetuese.

Në një postim në Facebook, Shala ka thënë se me këtë veprim, Osmani ka treguar se nuk ka përcaktuar ende një qëndrim të qartë dhe është në përpjekje për të siguruar një partner të ardhshëm politik.

“Me kërkesën për masë të përkohshme në Gjykatën Kushtetuese, u bë krejtësisht e qartë se edhe Presidentja është pjesë e pazareve për krijimin e institucioneve. Ajo ende nuk e ka përcaktuar qartë pozicionin e saj personal,” ka shkruar ai.

Sipas tij, vonesat në procesin e konstituimit të institucioneve janë të qëllimshme dhe i shërbejnë interesave politike.

“Zonjës Presidente i duhet kohë për ta bindur partnerin e ardhshëm politik, qoftë të ri apo të vjetër. Sa më shumë kaos institucional, aq më të vlefshëm bëhen politikanët populistë para militantëve të tyre”, përfundon Shala.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button