Ferat Shala kritikon ashpër Albin Kurtin: “Historia e njeh si figurë pa etikë politike”

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, lidhur me liderët e UÇK-së që po mbahen në Hagë, përfshirë Hashim Thaçin, Kadri Veselin e Jakup Krasniqin.
Përmes një postimi publik, Shala ka akuzuar Kurtin për mungesë të etikës politike dhe e ka përshkruar si një “fenomen sociopolitik” që, sipas tij, shfaqet përmes disa dukurive të rrezikshme.
“Rasti i Albin Kurtit në Kosovë është një shembull i qartë i vdekjes së etikës politike,” ka shkruar Shala, duke theksuar se ky fenomen manifestohet përmes rrënimit të humanizmit, autoritarizmit të brendshëm, narcizmit politik, ekstremizmit ideologjik, dhe përfundon, siç e quan ai, “në një ego të përbindshme”.
Deputeti i PDK-së thotë se nuk mund të kuptohet dhe as të justifikohet deklarata e Kurtit për liderët e UÇK-së që gjenden në Hagë, ndërsa shton se historia i njeh si figura pa etikë politike të gjithë ata që, sipas tij, mbajnë pushtetin vetëm për të shmangur përgjegjësinë për gabimet e veta.
Reagimi i Shalës vjen në një moment të ndjeshëm politik, kur deklaratat e Kurtit lidhur me të kaluarën e liderëve të UÇK-së po nxisin debat dhe reagime të shumta në skenën politike kosovare.