FCU Craiova dënohet me heqjen e 94 pikëve, rrezikon përjashtimin nga të gjitha garat

FCU Craiova ndodhet përballë një prej krizave më të mëdha në historinë e futbollit rumun, pasi Federata Rumune e Futbollit (FRF) ka vendosur ta ndëshkojë me heqjen e 94 pikëve, duke e bërë klubin praktikisht të pashpresë për sezonin e ardhshëm.
Sipas raportimeve të DigiSport, vendimi erdhi pas mosshlyerjes së borxheve ndaj ish-lojtarëve, trajnerëve, punonjësve dhe ndaj klubit rival Dinamo București, në lidhje me një ndeshje të Kupës së Rumanisë. Komisioni i Disiplinës dhe Etikës i FRF-së ka penalizuar gradualisht klubin muajt e fundit, ndërsa në mbledhjen e fundit u konfirmua se FCU Craiova do të nisë sezonin e Ligës III me -94 pikë.
Afati i fundit për shlyerjen e detyrimeve financiare është 3 shtatori 2025. Në rast se nuk paraqiten provat e pagesave, klubi rrezikon përjashtimin e menjëhershëm nga të gjitha garat e organizuara nga FRF, LPF dhe AJF.
Megjithatë, pronari i klubit, Adrian Mititelu, mbetet optimist për të ardhmen.
“Ne nuk do të përjashtohemi. Situata do të zgjidhet në një mënyrë ose tjetër,” tha ai për mediat rumune, duke shtuar se të gjitha dënimet dhe refuzimi i licencës për Ligën e 2-të janë kundërshtuar në gjykatë.
Mititelu ka paralajmëruar gjithashtu se po përgatitet të shesë një parcelë toke me vlerë 15 milionë euro, transaksion që pritet të ndihmojë në stabilizimin financiar të klubit.
Ky nuk është dënimi më i madh me pikë në futbollin rumun. Në sezonin 2015/16, klubi Caransebeș u ndëshkua me plot 96 pikë nga FRF, duke hyrë në historinë e futbollit europian për një nga penalizimet më të rënda të aplikuara ndonjëherë.