Sport

FCSB do të udhëtojë me 20 truproja për ndeshjen ndaj Dritës në Ligën e Evropës

Klubi rumun FCSB do të udhëtojë në Kosovë për ndeshjen e kthimit të rrethit të tretë kualifikues të Ligës së Evropës, por me një masë të jashtëzakonshme sigurie. Presidenti i FCSB-së, Gigi Becali, ka bërë të ditur se skuadra do të shoqërohet nga 20 truproja për shkak të shqetësimeve lidhur me sigurinë në Kosovë.

Në një intervistë për emisionin sportiv rumun “Fanatik Superliga”, Becali ka thënë se ka marrë informacione për situatë të tensionuar dhe kërcënime në vend, dhe se për këtë arsye e ka marrë vendimin që skuadra të jetë e mbrojtur gjatë vizitës në Prishtinë.

“Kam dëgjuar se në Kosovë ka dhunë dhe janë bërë kërcënime, kështu që duhet të shkojmë me ‘bodyguards’. Do të dërgoj rreth 20 truproja. Nuk dua të fyej askënd, por kështu është më mirë,” ka deklaruar ai.

Presidenti rumun ka theksuar se nuk ka asgjë personale kundër Dritës, por thjesht dëshiron të sigurojë sigurinë maksimale për skuadrën e tij.

Në javët e kaluara, Becali ka qenë në qendër të vëmendjes me deklarata fyese ndaj klubeve shqiptare Drita dhe Shkëndija, e cila eliminoi skuadrën e tij nga Liga e Kampionëve.

Ndeshja e parë midis FCSB-së dhe Dritës do të zhvillohet nesër në Rumani, ndërsa ndeshja e kthimit do të luhet pas një jave në Prishtinë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button