“Faturë e rrymës 350 euro më e shtrenjtë për të njëjtin konsum” – Pronari i një marketi ngre alarmin për tarifat e energjisë

Shkumbin Maloku, një pronar i një marketi të vogël në Kosovë, ka reaguar me shqetësim pas pranimit të një fature të energjisë elektrike që ai e cilëson si të pajustifikueshme. Sipas tij, ndonëse ka pasur të njëjtin konsum si muajin paraprak, fatura e këtij muaji është rritur për 356 euro.
“Muajin e kaluar pagova 715 euro, tash po më kërkojnë 356 euro më shumë për të njëjtin konsum. Kjo nuk është rritje normale – kjo është shkatërrim i qëllimshëm i biznesit privat, nga ku ky shtet merr taksat, të hyrat dhe pagat”, ka shkruar Maloku në rrjetet sociale.
Ai shtroi pyetje publike mbi mënyrën e formimit të këtyre tarifave, duke vënë në pikëpyetje kontrollin institucional dhe transparencën në këtë proces.
“Si mund të mbijetojë një biznes i vogël me fatura kaq të çmendura? Çfarë po ndodh me këto tarifa? Kush i kontrollon këto çmime? Apo janë të lirë t’i rrisin si të duan, sepse askush nuk përgjigjet?”, është shprehur ai me indinjatë.
Ky reagim vjen në një kohë kur shumë biznese të vogla në Kosovë po përballen me sfida të mëdha financiare, ndërsa rritja e kostove operative, përfshirë energjinë elektrike, po konsiderohet nga ta si kërcënim serioz për mbijetesën e tyre.
Deri më tani, institucionet përgjegjëse nuk kanë komentuar publikisht mbi rastin në fjalë, ndërsa kërkesat për më shumë transparencë dhe llogaridhënie në sektorin energjetik po shtohen.