Faturat e vonuara të energjisë elektrike shokojnë bizneset – “Elkos” paguan 346 mijë euro për qershorin, dyfish më shumë se vitin e kaluar

Disa biznese në Kosovë kanë filluar të pranojnë me vonesë faturat e energjisë elektrike për muajin qershor 2025, pas një pritjeje dy mujore. Për shumë prej tyre, këto fatura janë dukshëm më të larta krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Një ndër bizneset më të goditura është kompania “Elkos”, e cila këtë muaj ka pranuar faturën e energjisë në vlerë prej 346 mijë euro. Pronari i kompanisë, Ramiz Kelmendi, ka deklaruar për KosovaPress se fatura e qershorit të vitit të kaluar ka qenë 166 mijë euro, duke treguar një rritje minimale prej 100 për qind.
Sipas Kelmendit, kjo rritje drastike do të detyrojë kompaninë dhe shumë biznese të tjera që të reflektojnë kostot e shtuara në çmimet e produkteve dhe shërbimeve.
“Na erdhi fatura… Viti i kaluar, fatura 166 mijë… muji qershor i vitit 2025, 346 mijë. Ne nuk mundemi me punuar kështu. Do të duhet me transferua këtë kosto te qytetari. Diku rreth 200 milionë euro shtesë do t’u bien mbi barrë qytetarëve përmes çmimeve më të larta. Bukë në restorant, çdo gjë do të dalë më shtrenjtë – deri në 10 për qind, e prodhimet vendore edhe deri në 30 për qind”, theksoi Kelmendi, duke paralajmëruar se kjo gjendje rrezikon konkurrencën e brendshme ndaj produkteve të importuara.
Në të njëjtën situatë ndodhen edhe prodhues të tjerë. Shaqir Palushi, një tjetër sipërmarrës në vend, ka konfirmuar se edhe fatura e tij për muajin qershor është të paktën dyfishuar krahasuar me vitin e kaluar.
Komuniteti i biznesit ka ngritur alarmin, duke paralajmëruar pasoja serioze në tregun e punës dhe ekonominë vendore. Vendimet e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), sipas tyre, mund të çojnë në largimin masiv të punëtorëve, ulje të prodhimit dhe rritje të importit.
Bizneset kanë protestuar vazhdimisht në Prishtinë, duke kërkuar anulimin ose rishikimin e vendimeve të ZRRE-së që, sipas tyre, po e rëndojnë tej mase sektorin privat dhe po godasin zhvillimin ekonomik të vendit./KosovaPress/