Faton Peci: Interpretimi i aktgjykimit të Kushtetueses është çështje e “shijes së të kuptuarit”

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, ka komentuar debatet që kanë shpërthyer rreth interpretimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Duke u përgjigjur në pyetjet për qëndrimet e ndryshme të partive opozitare, përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe vetë presidentes Vjosa Osmani, Peci tha se interpretimi i vendimit të Kushtetueses është edhe “çështje e shijes”.
“Po tash… çështja e interpretimit është edhe çështje e të kuptuarit ose shijes”, deklaroi ai, duke sqaruar më pas se me “shije” kishte për qëllim “shijen e të kuptuarit”.
Sipas deputetit të VV-së, në aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese nuk konstatohet asnjë shkelje e Kushtetutës deri në këtë fazë të procesit.
“Gjykata nuk thotë askund që deri më tani ka pasur ndonjë shkelje kushtetuese”, theksoi ai.
Peci shtoi gjithashtu se ndryshimi i formës së votimit për kryeparlamentarin nuk mund të cilësohet si shkelje e rendit të ditës në procesin e konstituimit të Kuvendit.