Kosova

Fatmir Limaj insiston për postin e kryeparlamentarit, Kurti i ofron marrëveshje pa këtë pozitë – pritet vendimi i Kushtetueses

Afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, i vendosur nga Gjykata Kushtetuese, po i afrohet fundit, ndërsa partitë ende nuk kanë arritur një marrëveshje për krijimin e institucioneve. Lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, vazhdon të këmbëngulë në kërkesën e tij për postin e kryetarit të Kuvendit, një pozitë që Lëvizja Vetëvendosje nuk është e gatshme ta ndajë me një parti që ka vetëm 2-3 deputetë.

Limaj tha se është në interesin e partive të pritet vendimi i Kushtetueses pas kërkesës së presidentes Vjosa Osmani për sqarim lidhur me pasojat juridike të moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit. Ai theksoi se zgjidhja duhet të jetë e plotë dhe jo vetëm për Kuvendin, pasi kjo do të sillte rrezik për zgjedhje të reja, që Nisma nuk i dëshiron.

“Nganjëherë po krijohet përshtypja që problemi është vetëm Kuvendi. Problemi është më i thellë. Duhet shumicë për Parlament dhe Qeveri – jo shumicë episodike”, tha Limaj.

Ai konfirmoi se ka pasur takime me Albin Kurtin dhe se në tavolinë janë paraqitur opsionet e të dyja palëve, por nuk pranoi të zbulojë detaje, përveç se kërkesa e tij për kryetarin e Kuvendit dhe një paketë ligjore përfshihet në bisedime.

Vetëvendosje ndërkohë shpreson që një marrëveshje me Limajn të arrihet deri në fundjavë, përpara skadimit të afatit. Deputetja Arbëreshë Kryeziu tha se janë optimistë se do të marrin përgjigje pozitive nga Nisma.

Por brenda spektrit politik ka skeptikë. Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, deklaroi se Fatmir Limaj “kurrë” nuk do të jetë kandidat për kryetar Kuvendi me propozim të Kurtit dhe shtoi se mungesa e transparencës tregon për pazare pushteti.

Ndërkohë, lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kritikoi Vetëvendosjen për dështimin që brenda 30 ditëve të para pas zgjedhjeve të propozojë emër për kryetar Kuvendi dhe të krijojë shumicën parlamentare, duke sugjeruar që kjo e drejtë mund të kalojë te një subjekt tjetër.

Nga ana tjetër, Ramush Haradinaj nga AAK u shpreh optimist se Gjykata Kushtetuese do të japë një zgjidhje të shpejtë, duke thënë se kërkesa e presidentes “e ndryshon gjendjen”.

Në mungesë të shumicës parlamentare, Vetëvendosje ka dështuar disa herë ta zgjedhë kryetaren e propozuar për Kuvendin, Albulena Haxhiun, duke u përpjekur tash të kalojë në votim të fshehtë përmes një komisioni që po has gjithashtu në pengesa.

Përfundimi i afatit më 26 korrik po i vë partitë nën presion, ndërsa fati i institucioneve të reja mbetet ende i paqartë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button