Eurovision 2025 – Beatriçe Gjergji rrëfehet për DW: “Zjerm”, emigrimi dhe jeta ime me ngjyra

Shqipëria këtë vit është në qendër të vëmendjes në festivalin më të madh të muzikës në Europë. Dyshja e grupit “Shkodra Elektronike”, Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca, po përfaqësojnë vendin me këngën “Zjerm”, e cila është përzgjedhur të mbyllë natën finale të Eurovision Song Contest, një nder që zakonisht u rezervohet performancave më të spikatura.
Në hollin e një hoteli në Bazel, radhët e gazetarëve që presin të intervistojnë Beatriçen dhe Kolën janë të gjata. Interesi ndërkombëtar për përfaqësuesit shqiptarë është i jashtëzakonshëm. Mediat nga vende të ndryshme kërkojnë të dinë gjithçka: nga historia pas këngës, tek stili i tyre skenik e deri te ambiciet dhe mesazhi që përcjell “Zjerm”.
Megjithëse të lodhur nga ritmi i ethshëm i intervistave dhe provave, dy artistët shkodranë nuk e humbin buzëqeshjen. Ata flasin me sinqeritet për krijimtarinë e tyre dhe për njerëzit që i kanë frymëzuar.
Një takim virtual që krijoi një duo unike
Beatriçe dhe Kola, të dy me origjinë nga Shkodra, nuk njiheshin më parë me njëri-tjetrin. U gjetën përmes rrjeteve sociale, kur Beatriçja hasi në një cover të këngës “Turtulleshë” të realizuar nga Kola me grupin e tij. “Ishte diçka e veçantë dhe më emocionoi”, rrëfen ajo për Deutsche Welle. Ky rastësi virtuale u kthye në fillimin e një bashkëpunimi që kulmoi me krijimin e “Shkodra Elektronike” në vitin 2019 dhe sot me ngjitjen në skenën e madhe të Eurovisionit.
Kënga e tyre “Zjerm” është një himn për njerëzit me empati, për ata që qëndrojnë të qetë përballë vështirësive dhe transmetojnë mirësi. “Kam shkruar për njerëzit e mirë që kanë lënë gjurmë në jetën time,” thotë Beatriçe.
Dy rrugë emigrimi, një pasion i përbashkët
Historia e tyre është edhe historia e shumë shqiptarëve që u rritën mes dy kulturave. Kola emigroi në Itali në fillim të viteve ’90 për të studiuar, ndërsa Beatriçja ishte vetëm 6 vjeç kur familja e saj u zhvendos atje. Pavarësisht vështirësive të emigrimit, të dy ruajtën lidhjen me rrënjët shqiptare dhe e gërshetuan atë me ndikimet perëndimore për të ndërtuar një stil muzikor autentik.
“Shkodra Elektronike” sjell një ndërthurje të muzikës tradicionale shqiptare me ritmet moderne elektronike, një eksperiment që ka zgjuar interesin e kritikëve dhe publikut evropian.
“E meritojnë të jenë në treshen fituese”
Kënga “Zjerm” është renditur e fundit në listën e performancave të natës finale, duke mbyllur spektaklin me numrin 26. Christer Björkman, një nga producentët më të njohur të festivalit, e cilësoi këtë si një zgjedhje “me klas” dhe tha se Shqipëria përfaqëson muzikën në formën e saj më të bukur.
“Ka shumë talent, zgjuarsi dhe është një këngë shumë e bukur. E mbyllim festivalin me një veprim me klas,” u shpreh ai.
Komentet pozitive nuk munguan as nga gazetarët: “E dëgjove Shqipërinë? Çfarë klasi që kanë. E meritojnë të jenë të paktën në treshen fituese”, dëgjohet të thuhet në sallën e provave.
Në një garë ku renditja ndikon shpesh në fatin e këngëve, Shqipëria këtë herë e mbyll me “Zjerm” dhe me shpresën për të hyrë në histori, jo vetëm për vendin që zë, por për emocionin dhe autenticitetin që sjell në një skenë ndërkombëtare.