Europa më e vështirë për t’u kualifikuar, Italia përgatitet për play-off për Botërorin 2026

Italia mund të detyrohet sërish të marrë pjesë në ndeshjen play-off ndërsa kërkon të sigurojë vendin për Kupën e Botës 2026. “Azzurrët” aktualisht renditen të dytët në Grupin I, gjashtë pikë pas kryesueses Norvegji, megjithëse me një ndeshje më pak të zhvilluar. Vetëm skuadra e parë e çdo grupi kualifikohet automatikisht, ndërsa fitorja spektakolare e Norvegjisë 11-1 ndaj Moldavisë ka krijuar një epërsi të madhe në golaverazh.
Italia duhet të shpresojë që Norvegjia të humbasë pikë përpara përballjes direkte në nëntor, përndryshe edhe këtë herë skuadra italiane mund të përjetojë dramën e play-off-it.
Gazetari italian Giovanni Capuano ka theksuar se sistemi i kualifikimeve në Evropë është më i vështirë krahasuar me atë të Amerikës së Jugut. Në CONMEBOL, gjashtë nga dhjetë skuadra kualifikohen automatikisht, ndërsa një tjetër shkon në play-off, dhe një ekip mund të sigurojë vendin në Botëror me mesatare vetëm 1.16 pikësh për ndeshje. Ndërkohë, një mesatare e tillë në Evropë nuk do të mjaftonte as për play-off.
Capuano thekson gjithashtu se 8 nga 10 kombëtaret më të larta në renditjen e FIFA-s janë europiane, duke nënvizuar konkurrencën e ashpër që përballen skuadrat e kontinentit për të siguruar një vend në fazën finale.
Ndaj, edhe pse Italia mund të kritikohet nëse dështon të kualifikohet, realiteti është se kualifikimi në Evropë mbetet një sfidë jashtëzakonisht e vështirë krahasuar me pjesën tjetër të botës.