Lajme

Eurodeputetë italianë kërkojnë inspektim urgjent në kampet e Gjadrit: Dyshime për shkelje të të drejtave të njeriut

Dy eurodeputetë italianë, Sandro Ruotolo (Partia Demokratike) dhe Benedetta Scuderi (Të Gjelbrit), i kanë dërguar një letër Komisionerit për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës, Michael O’Flaherty, dhe Presidentit të Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës, Alan Mitchell, duke kërkuar një inspektim urgjent në Qendrën e Paraburgimit të Riatdhesimit Italian në Gjadër, Shqipëri.

Në letrën e tyre, eurodeputetët theksojnë se kjo qendër, e konsideruar nga Komisioni Evropian si një qasje “inovative” për menaxhimin e flukseve migratore, mund të shërbejë si model për vende të tjera anëtare të Këshillit të Evropës. Megjithatë, ata paralajmërojnë për probleme serioze që mund të cenojnë të drejtat e njeriut.

“Më 18 dhe 19 prill 2025 – ne kryem një vizitë inspektuese në këtë qendër për të verifikuar kushtet e emigrantëve të ndaluar. Gjatë këtij inspektimi identifikuam disa çështje kritike, si privimi arbitrar i lirisë, kushtet e jetesës, aksesi i kufizuar në asistencë ligjore dhe një numër i madh episodesh problematike”, shkruajnë eurodeputetët.

Ata shprehen të shqetësuar për mënyrën se si emigrantët e ndaluar në Shqipëri, pas një vendimi për riatdhesim nga autoritetet italiane, transferohen sërish në Itali për t’u dëbuar. Sipas tyre, kjo praktikë mund të jetë në kundërshtim me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ).

Letra përfundon me thirrjen për një vizitë të menjëhershme të Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës për të vlerësuar nga afër situatën dhe për të verifikuar përputhshmërinë e kësaj qendre me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button