Lajme

Eurobarometri 2025: Shqiptarët, më entuziastët për BE-në, por mbështetja nga europianët mbetet e ulët

Shqiptarët janë populli më entuziast në rajon për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Sipas Eurobarometrit të vitit 2025, plot 92% e tyre shprehen pro hyrjes në BE, ndërsa 82% kanë një përshtypje pozitive për Unionin. Pas Shqipërisë, mbështetjen më të madhe për integrimin evropian e tregojnë qytetarët e Maqedonisë së Veriut dhe të Gjeorgjisë.

Në kahun tjetër, qytetarët më skeptikë mbeten serbët: vetëm 33% e tyre duan që vendi i tyre të bëhet pjesë e BE-së.

Megjithatë, kur fjala vjen te mbështetja e qytetarëve të vendeve anëtare për zgjerimin, Shqipëria dhe Kosova renditen ndër vendet më pak të preferuara. Vetëm 45% e europianëve janë pro anëtarësimit të Shqipërisë dhe 43% për Kosovën. Ndërkohë, më shumë mbështetje gëzojnë Ukraina (52%) dhe Mali i Zi (51%).

Sipas raportit, mbështetja për zgjerimin është dukshëm më e lartë tek të rinjtë dhe në vendet nordike, si Suedia, Danimarka dhe Lituania, ndërsa në pjesën tjetër të BE-së qëndrimet mbeten të përziera.

Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, e vlerësoi mbështetjen e fortë të shqiptarëve si një sinjal inkurajues dhe një pasqyrë të angazhimit të qytetarëve për një të ardhme evropiane.

Ndërsa procesi i negociatave po ecën përpara, sondazhi i fundit i Eurobarometrit e bën të qartë: shqiptarët e duan BE-në, por ende mbeten në pritje të vullnetit të vendeve anëtare.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button