Etapa e dytë e “Giro d’Italia” zhvillohet sot në Tiranë: Kufizime të shumta në qarkullim dhe parkim

Sot, më 10 maj 2025, në Tiranë zhvillohet etapa e dytë e garës së njohur ndërkombëtare të çiklizmit “Giro d’Italia”, e cila do të përshkojë disa prej rrugëve kryesore të kryeqytetit. Për këtë arsye, qyteti do të përjetojë kufizime të shumta në qarkullim dhe parkim, duke ndikuar ndjeshëm në lëvizjen e automjeteve dhe transportit publik.
Sipas njoftimit zyrtar, ndalimi i parkimit në segmentet rrugore që përfshijnë vendet e akomodimit të ekipeve do të nisë nga ora 08:00 deri në 11:00. Gjatë kësaj kohe, nuk do të lejohen parkime në zonat si “Zogu i Zi”, Rruga e Durrësit, Rruga “Fortuzi”, Rruga “Dervish Hatixhe”, Rruga e Barrikadave dhe rruga pas Pallatit të Kulturës.
Nga ora 10:00 deri në orën 18:00, do të ndalohet plotësisht qarkullimi i automjeteve – me përjashtim të mjeteve të emergjencës dhe Policisë së Shtetit – në itinerarin e plotë të etapës, që përfshin:
Sheshi “Skënderbej”
Rr. “Urani Pano”
Rr. “Dedë Gjo Luli”
Rr. “Ibrahim Rugova”
Rr. “Dëshmorët e 4 Shkurtit”
Bulevardi “Gjergj Fishta”
Rr. “Muhamet Gjollesha”
Bulevardi “Bajram Curri”
Rr. “Lek Dugagjini”
Rr. “Dervish Hima”
Rr. e Elbasanit – Rrethrrotullimi i Saukut
Rr. “Abdyl Frashëri”
Bulevardi “Zogu I” deri te Rr. “Fortuzi”
Rruga pas Pallatit të Kulturës
Po ashtu, 7 zona të banuara do të kenë akses të kufizuar në oraret 10:00–18:00. Këto përfshijnë blloqet e banimit përgjatë rrugës “Papa Gjon Pali” (si “Dervish Hima”, “Asim Zeneli”, “Themistokli Gërmeni”, “Ismail Qemali” etj.) dhe zonën në rrugën “Ukraina e Lirë”.
Përsa i përket orientimit të qarkullimit, qytetarët duhet të ndjekin këto drejtime alternative:
Zona e Pazarit të Ri dhe “Hoxha Tahsim” do të kenë akses vetëm nga rruga e Dibrës, me dalje në autostradën lindore dhe kalim në rrugën e Barrikadave.
Rruga e Kavajës dhe “Myslym Shyri” do të lidhen me Tiranën e Re vetëm përmes rrugës “Dritan Hoxha”.
Zona e Qytetit Studenti dhe “Ali Demi” do të kenë dalje përmes rrugës “Pjetër Budi” dhe “Agush Gjegjevica” drejt unazës lindore dhe rrethit të Shkozës.
Etapa e tretë dhe e fundit në Shqipëri do të zhvillohet nesër, më 11 maj, nga qyteti i Vlorës, ku do të jetë edhe finishi i saj. “Giro d’Italia 2025” do të përmbyllet në Romë më 1 qershor.
Kjo ngjarje sportive nuk ka vetëm rëndësi sportive, por edhe promovon Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, duke tërhequr vëmendjen e miliona shikuesve në mbarë botën.