Erlis Mehmetaj arrestohet si i dyshuar për bashkëpunim në vrasjen e rojës në Vlorë – pista mafioze dhe porosi nga Dubai

Policia ka arrestuar shtetasin Erlis Mehmetaj, i cili dyshohet se ka luajtur një rol kyç në atentatin ndaj Renato Hoxhajt, roja i një ndërtese në Vlorë, i cili mbeti i vrarë pak ditë më parë. Mehmetaj akuzohet për bashkëpunim në krim, konkretisht për sigurimin e mjetit të përdorur nga autori i vrasjes.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, makina e përdorur në krim kishte targa të ndërruara, por verifikimet zbuluan se automjeti ishte në pronësi të Erlis Mehmetajt. Ky zbulim u bë pikënisje për hetime më të thelluara, të cilat çuan në ndalimin e tij në Tiranë.
Në fotot e siguruara nga policia, Mehmetaj shihet në makina luksoze, çka ka ngritur dyshime për lidhje të tij me rrjete kriminale. Ndërkohë, telefoni i tij është sekuestruar dhe po i nënshtrohet ekspertizës për të zbuluar kontakte apo komunikime të mundshme me autorin e dyshuar të vrasjes.
Hetimet janë zgjeruar edhe në jug të vendit. Në Ksamil, forcat RENEA dhe FNSH kanë zhvilluar kontrolle dhe kanë shoqëruar disa persona, por deri më tani nuk ka prova që i lidhin me atentatin. Dyshohet se autori i vrasjes është larguar jashtë vendit, në drejtim të Greqisë.
Një nga pistat më të forta të hetimit është ajo e një vrasjeje me pagesë, e porositur nga Dubai. Sipas informacioneve të para, Renato Hoxhaj mund të ketë qenë informator i një grupi kriminal rival, gjë që mund të ketë sjellë ekzekutimin e tij nga një grup mafioz.
Hetimet vijojnë në disa pista, ndërsa priten rezultatet e ekspertizës së telefonit të Mehmetajt dhe kamerave të sigurisë për të identifikuar autorin e krimit dhe për të zbardhur të plotë motivin e kësaj vrasjeje tronditëse.