Erisa Xhixho: Shqipëria me rënie drastike të lindjeve, duhet ndëshkuar keqqeverisja me votë më 11 maj

Zv. Presidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka ngritur sot alarmin për shpopullimin dhe rënien drastike të lindjeve në Shqipëri, duke iu referuar të dhënave të fundit të OKB-së, sipas të cilave vendi ynë renditet mes shteteve me rënien më të fortë të lindjeve në rang global deri në vitin 2054, krah Porto Rikos dhe Xhamajkës.
Sipas Xhixhos, lindjet në Shqipëri janë përgjysmuar krahasuar me 10 vite më parë. “Vetëm 22 mijë bebe lindën në vitin 2024, nga gati dyfishi një dekadë më parë. Çiftet e reja nuk kanë më siguri për të ardhmen. Kostoja e jetesës është rritur ndjeshëm, ndërsa pagat mbeten më të ulëtat në rajon. Një çifti të ri i duhen 60 vjet për të blerë një apartament në Tiranë, në një treg me 54 mijë apartamente bosh, ku pastrohen paratë e krimit dhe korrupsionit,” u shpreh ajo.
Xhixho theksoi se Shqipëria renditet ndër vendet me normat më të ulëta të lindshmërisë në Europë, duke lënë pas vetëm Spanjën dhe Maltën. Ajo akuzoi qeverinë se ka inkurajuar largimin masiv të shqiptarëve dhe nuk ka ndërmarrë asnjë masë për të frenuar krizën demografike. “Pasojat janë të dukshme: mbi 1 milion shqiptarë janë larguar nga vendi gjatë qeverisjes aktuale. Sot, tregu i punës kërkon punonjës të huaj,” shtoi ajo.
Në këtë kontekst, Xhixho prezantoi disa nga pikat kyçe të programit të Aleancës për Shqipërinë Madhështore, që synon mbështetjen e familjeve të reja dhe rikthimin e shpresës:
30 mijë euro kredi me interes zero për çdo çift të martuar pas vitit 2019, për blerjen e shtëpisë së parë;
Mbulim i plotë nga shteti për shpenzimet e fëmijës së tretë deri në moshën 18 vjeç;
Mbështetje mujore prej 60 euro për fëmijën e parë dhe 70 euro për të dytin;
Kupon 250 euro për çdo fëmijë në zonat ku mungojnë shkollat publike;
Zbatimi i sistemit të kateringut në kopshte dhe shkolla;
Rritje pagash, ulje taksash dhe çmimesh për energjinë dhe karburantet.
“12 vite krim, korrupsion dhe shpopullim duhet të ndëshkohen. Më 11 maj, vota për opozitën është votë për Shqipërinë madhështore,” përfundoi deklaratën e saj Erisa Xhixho.