Erion Veliaj kërkon të lirohet nga burgu, pret vendimin e gjykatës të mërkurën

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka kërkuar revokimin ose zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg”, pas dy muajsh qëndrimi pas hekurave. Përmes avokatëve të tij, Veliaj i ka kërkuar Gjykatës së Posaçme që të shqyrtojë masën, si dhe të informohet për ecurinë dy mujore të hetimeve nga Prokuroria e Posaçme, lidhur me akuzat për korrupsion dhe pastrim parash.
Kërkesa do të shqyrtohet të mërkurën nga gjyqtari i hetimit paraprak, Erjon Bani – i njëjti gjyqtar që firmosi masën e arrestit ndaj tij në 12 shkurt. Më herët, Veliaj kishte apeluar vendimin në Apelin e Posaçëm, por kërkesa e tij u rrëzua, duke lënë në fuqi arrestin me burg.
Në vendimin e zbardhur pak ditë më parë, gjyqtari Engert Pëllumbi ka argumentuar se Veliaj, së bashku me bashkëpunëtorët Xoxa dhe Abule, vepronin si një grup i strukturuar kriminal. Mbrojtja e Veliajt pritet të çojë çështjen në Gjykatën e Lartë.
Ndërkohë, për të njëjtën dosje, biznesmeni Elman Abule ndodhet në “arrest shtëpie”, ndërsa bashkëshortja e Veliajt dhe pesë biznesmenë të tjerë janë lënë në “detyrim paraqitje”.