Erërat e forta shkaktojnë ndërprerje të energjisë elektrike në disa rajone – KEDS: Ekipet janë në terren

Pjesë të mëdha të vendit janë goditur nga erëra të fuqishme që prej mëngjesit të sotëm, duke shkaktuar dëme në rrjetin elektrik shpërndarës dhe ndërprerje të furnizimit me energji elektrike për një numër të konsiderueshëm konsumatorësh.
Përmes një njoftimi, KEDS ka bërë të ditur se rajonet më të prekura nga kjo situatë janë Peja, Mitrovica si dhe disa pjesë të Prishtinës, Gjakovës dhe Prizrenit.
“Për shkak të erërave të forta që përfshinë një pjesë të vendit tonë nga mëngjesi i sotëm e që po vazhdojnë akoma, janë shkaktuar disa dëme në rrjetin elektrik shpërndarës, duke lënë një numër të konsiderueshëm të konsumatorëve pa furnizim me energji elektrike”, thuhet në njoftimin e KEDS.
Sipas kompanisë, ekipet e saj janë në terren në lokalitetet e prekura dhe po punojnë pandërprerë për të rikthyer gjendjen në normalitet.
“Përveçse po përkujdesen për sigurinë e sistemit, ekipet tona po punojnë vazhdimisht që ta rikthejnë furnizimin me energji elektrike. Kërkojmë mirëkuptimin e konsumatorëve tanë të afektuar”, thuhet në fund të njoftimit.