Lajme

Erdogan nga Tirana: Turqia ofron bashkëpunim për sigurinë dhe zhvillimin ekonomik të Europës

Kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në fjalën e mbajtur gjatë Samitit të Komunitetit Politik Evropian që po zhvillohet në Tiranë, ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes vendeve evropiane në një kohë sfiduese për kontinentin.

Duke iu referuar krizave aktuale në rajon, Erdogan deklaroi se përpjekjet e Bashkimit Evropian për të zhvilluar industrinë e mbrojtjes janë të mirëpritura, por theksoi se në këtë drejtim duhet të përfshihen edhe aleatë të rëndësishëm jashtë BE-së, si Turqia.

“Shumë luftra në Europë na kanë treguar se nëse përçahemi bëhemi më të dobët, e nëse bashkohemi bëhemi më të fortë”, u shpreh ai, duke nënvizuar domosdoshmërinë e një qasjeje të përbashkët për sigurinë ekonomike dhe politike të kontinentit.

Erdogan foli gjithashtu për potencialin ekonomik të Turqisë, duke vënë në dukje madhësinë e ekonomisë turke, prej 1.3 trilionë dollarësh, popullsinë dinamike, industrinë konkurruese dhe lidhjet direkte me tregjet e mëdha të konsumit.

“Përditësimi i unionit doganor me BE-në do të kontribuojë në sigurinë e zinxhirëve të furnizimit dhe do të hapë rrugën për investime të përbashkëta në sektorë kritikë si ai farmaceutik dhe i mbrojtjes”, shtoi ai.

Duke prekur edhe çështjen e Shengenit, kryeministri turk kërkoi rishikimin e praktikave ekzistuese, duke lënë të kuptohet se barrierat aktuale pengojnë mobilitetin dhe bashkëpunimin më të madh ndërmjet vendeve.

Në lidhje me luftën në Ukrainë, Erdogan u shpreh se vendosja e paqes është përparësi absolute dhe se çelësi për arritjen e një armëpushimi të qëndrueshëm qëndron tek dialogu dhe inkurajimi i palëve, pa imponime të njëanshme.

“Jemi në një moment kritik. Që armët të heshtin dhe paqja të vendoset në Ukrainë, nevojitet kontributi i gjithsecilit. Inkurajimi i palëve pa imponim është thelbësor për një zgjidhje të drejtë dhe afatgjatë”, deklaroi Erdogan.

Fjalimi i tij u prit me interes nga liderët pjesëmarrës, në një samit ku Shqipëria luan rolin e mikpritëses dhe nxitëses së dialogut mes vendeve të ndryshme të kontinentit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button