
I ftuar në emisionin “360 Gradë”, Endrit Shabani, një nga figurat kryesore të koalicionit të të rinjve “Nisma Shqipëria Bëhet”, theksoi rëndësinë jetike të votës në zgjedhjet e 11 Majit. Ai bëri thirrje për pjesëmarrje masive të qytetarëve, duke e cilësuar këtë proces si një mundësi historike për të ndëshkuar klasën politike të vjetër dhe për të rikthyer pasuritë publike të grabitura ndër vite.
“Ne nuk hyjmë në politikë për karrige apo privilegje, por për të hapur një faqe të re për Shqipërinë. Ky është momenti për të treguar se qytetarët kanë fuqinë t’i japin fund pandëshkueshmërisë dhe arrogancës që ka mbretëruar deri më sot”, u shpreh Shabani.
Sipas tij, “Nisma Shqipëria Bëhet” përfaqëson zërin e një brezi të ri që kërkon drejtësi, barazi dhe një të ardhme dinjitoze në vendin e vet. Ai premtoi se forca që përfaqëson do të kërkojë me ngulm hetimin dhe rikthimin e pasurive të vjedhura nga oligarkët dhe politikanët e korruptuar, si dhe vendosjen para përgjegjësisë të çdo zyrtari që ka abuzuar me besimin e qytetarëve.
Emisioni u shoqërua me debate të forta, por Shabani qëndroi i vendosur në mesazhin e tij: Shqipëria mund të bëhet vetëm nëse qytetarët marrin në dorë fatin e vendit përmes votës.