Emre Can i bën thirrje Juventusit: Firmosni me Jadon Sancho!

Mesfushori i Borussia Dortmund, Emre Can, ka dhënë një deklaratë të fortë në prag të miqësores mes skuadrës së tij aktuale dhe ish-klubit të tij, Juventusit. Në një intervistë për Gazzetta dello Sport, Can ka sugjeruar që “Zonja e Vjetër” të përfitojë nga situata e vështirë e Jadon Sancho-s te Manchester United dhe ta afrojë atë në Torino.
“Sancho është një lojtar i veçantë. Ai kombinon teknikën me shpejtësinë dhe mendoj se do të ishte një përforcim i jashtëzakonshëm për Juventusin. Mund t’i ndihmojë të rikthehen në rrugën e fitoreve,” – u shpreh Can.
Emre Can, i cili nuk do të luajë në ndeshjen miqësore të së dielës, ka paralajmëruar Juventusin për atmosferën unike në “Signal Iduna Park”, të cilën e përshkroi si “diçka që të jep të dridhura”.
Gjermanasi foli edhe për disa nga talentet premtues të Juventusit. Ai veçoi Kenan Yildiz, për të cilin tha: “Është një lojtar special me goditje fantastike. Numri 10 ka gjithmonë një rëndësi të madhe në historinë e Juventusit.” Sipas mediave italiane, klubi bardhezi ka refuzuar së fundmi një ofertë nga Chelsea për Yildiz.
Në fund, Can vlerësoi edhe Khephren Thuram, të cilin e përshkroi si një mesfushor me “stil dinamik dhe fizik mbresëlënës”.
Me emra si Sancho, Yildiz dhe Thuram, Emre Can beson se Juventusi ka bazën për të rindërtuar një skuadër të fuqishme dhe fituese.